Këtë fundjavë u shënua një ngjarje shumë të veçantë për sportin e shenjëtarisë në Kosovë.Federata e Shenjëtarisë Sportive të Kosovës ka pritur me krenari Presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Shenjëtarisë (ISSF – International Shooting Sport Federation), Luciano Rossi. Takimi, i cili u zhvillua në Këshillin Olimpik të Kosovës, pati një përfaqësim të lartë nga figura kryesore të sportit të shenjëtarisë në vend, duke përfshirë Presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, si dhe kryetarin e FSHSK-së, Gëzim Hazrolli, dhe drejtues të tjerë të federatës.
Të pranishëm në këtë takim ishin gjithashtu drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, si dhe kryetari i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rrufa.
Presidenti Krasniqi dhe kryetari Hazrolli shprehën vullnetin e tyre për të vazhduar përkrahjen dhe avancimin e shenjëtarisë sportive në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ku sporti i shenjëtarisë do të ketë një rol të veçantë.
Në anën tjetër, Presidenti Rossi u falënderua për mikpritjen dhe shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e mirë që ka pasur me FSHSK-në që nga procesi i anëtarësimit të saj në ISSF. Ai vlerësoi përkushtimin e federatës kosovare për avancimin dhe ngritjen e cilësisë së këtij sporti në vend.
FSHSK, si dhe federatat tjera, mbështeten financiarisht nga MKRS, dhe drejtori Ibër Alaj premtoi përkrahje të vazhdueshme në të ardhmen për fuqizimin e këtij sporti.
Diskutimet gjithashtu u përqendruan në projekte të ardhshme të bashkëpunimit në interes të sportit të shenjëtarisë në Kosovë, duke theksuar investimet që do të bëhen për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Pas takimit në KOK, Presidenti Rossi vizitoi poligonin e shenjëtarisë sportive në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku demonstruan pajisjet e reja të dhuruar nga ISSF. Ai shfaqi një interes të veçantë për zhvillimin e sportit në vend dhe ndoqi me vëmendje një seancë stërvitore, duke u takuar edhe me disa prej sportistëve vendas.
Vizita e Presidentit Rossi shënon një moment të rëndësishëm në historinë e shenjëtarisë sportive në Kosovë, duke thelluar bashkëpunimin dhe mbështetjen ndërkombëtare për avancimin dhe suksesin e këtij sporti në vend dhe në arenën ndërkombëtare.