Shpërndaje:

PËRMBYLLET ME SUKSES KAMPI PËR ZHVILLIMIN DHE PËRGATITJEN E TALENTEVE TË RINJ PËR GARA NDËRKOMBËTARE

12 gusht 2026, Prishtinë

Me përfundimin e ditës së shtatë, Federata e Shenjtarisë Sportive e Kosovës përmbylli me sukses Kampin për Zhvillimin dhe Përgatitjen e Talenteve të Rinj për Gara Ndërkombëtare, të realizuar me mbështetjen e TEB Bank.

Gjatë shtatë ditëve, sportistët zhvilluan një program intensiv stërvitor, me fokus në përmirësimin e teknikës, stabilitetit, përqendrimit dhe qitjeve kontrolluese. Rezultatet përfundimtare dëshmuan progres të dukshëm, ku secili sportist shënoi rritje personale në performancën e qitjes krahasuar me fillimin e kampit.

Sportistët pjesëmarrës:

• Dielli Avdiu

• Leon Sopjani

• Odiar Azemi

• Feroza Ismajli

• Flodina Ismajli

• Orik Feka

Në ceremoninë përmbyllëse, krahas sportistëve dhe trajnerit, të pranishëm ishin edhe Sekretari i FSHSK-së, Baki Azemi, zyrtarja administrative Greta Vokrri dhe punëtori teknik i Poligonit, Safet Vehapi.

Gjatë fjalës përmbyllëse, Kryetari i FSHSK-së dhe njëherazi trajneri i kampit, Gëzim Hazrolli, falënderoi sportistët për disiplinën, angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë programit, si dhe të gjithë akterët që kontribuuan në realizimin e kampit.

Hazrolli theksoi se është jashtëzakonisht i kënaqur me performancën dhe progresin e arritur, duke veçuar faktin se secili sportist ka treguar avancim individual dhe rritje të rezultateve në qitje gjatë shtatë ditëve të punës.

Në përfundim, FSHSK ndau certifikata për të gjithë sportistët pjesëmarrës, në vlerësim të përfundimit me sukses të programit, ndërsa certifikatë mirënjohjeje iu nda edhe trajnerit Gëzim Hazrolli për kontributin profesional dhe udhëheqjen e kampit.

Federata e Shenjtarisë Sportive e Kosovës shpreh mirënjohjen për TEB Bank për mbështetjen e këtij projekti dhe kontributin në krijimin e mundësive të reja për zhvillimin e talenteve të rinj.

Shtatë ditë punë, progres individual dhe një hap tjetër drejt së ardhmes së shenjtarisë sportive të Kosovës.

Shpërndaje

Scroll to Top